Lituania mbylli hapësirën ajrore, pas raportimeve për dronë në kufi

Lituania mbylli hapësirën ajrore, pas raportimeve për dronë në kufi

Bota May 20, 2026 - 10:10

“Alarm ajror! Shkoni menjëherë në një strehimore ose në një vend të sigurt”, thuhej në njoftimin emergjent të ushtrisë lituane mëngjesin e sotëm.

Alarmi ajror në Vilnius është hequr rreth orës 10:58 të së mërkurës, pasi më herët ishte raportuar për një dron të dyshuar pranë rajoneve kufitare.

Forcat e armatosura të Lituanisë aktivizuan misionin e NATO-s për patrullim ajror dhe shpallën alarm ajror në Vilnius, pasi një dron i dyshuar u zbulua pranë kufirit të vendit të mërkurën në mëngjes, raporton transmetuesi publik i Lituanisë, transmeton Zeri.info.

Detaje mbi mënyrën e veprimit gjatë një sulmi ajror janë publikuar në faqen zyrtare të reagimit emergjent të qeverisë, LT72.lt.

“Ky incident është i ngjashëm me ato që kemi parë ditët e fundit në Letoni dhe Estoni; paralajmërimi i banorëve është një masë standarde parandaluese”, deklaroi ushtria në një njoftim të mëhershëm.

Aktiviteti i dronit u regjistrua në zonat pranë kufirit, afër distrikteve Ignalina, Utena, Zarasai dhe Svencionys në lindje të Lituanisë. Më vonë paralajmërimi u zgjerua edhe në kryeqytetin Vilnius dhe rajonin përreth.

Banorët e këtyre zonave morën mesazhe alarmuese për praninë e mundshme të një droni në afërsi, fillimisht me nivel të verdhë të kërcënimit ajror. Në rajonin e Vilniusit, alarmi më pas u ngrit në nivelin “i kuq”, që nënkupton rrezik urgjent.

Ushtria lituane bëri të ditur se misioni i NATO-s për patrullim ajror në Baltik u aktivizua pasi sinjali në radar u detektua brenda territorit të Bjellorusisë. /Zëri