Pas kritikave të Trumpit - Ministri i Jashtëm i Italisë: Sulmet ndaj Papa Leonit janë të papranueshme
Ministri i Jashtëm i Italisë u kundërpërgjigj të martën ndaj kritikave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Papa Leonit XIV, duke thënë se sulmet ndaj papës nuk janë “as të pranueshme dhe as të dobishme për kauzën e paqes”.
“Sulmet ndaj Atit të Shenjtë, kreu dhe udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike, nuk janë as të pranueshme dhe as të dobishme për kauzën e paqes”, shkroi Antonio Tajani në platformën sociale amerikane X, duke shprehur solidaritet me papën.
Ai shtoi se fjalët dhe veprimet e papës promovojnë “dialogun, vlerën e jetës njerëzore dhe lirinë”, vlera që edhe qeveria italiane synon t’i avancojë përmes diplomacisë.
Deklaratat e Tajanit erdhën pasi Trump e akuzoi papën se “po rrezikon shumë katolikë”, duke pretenduar se kreu i Kishës Katolike “mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”, në një intervistë me moderatorin radiofonik Hugh Hewitt.
Këto komente shënojnë përshkallëzimin më të fundit të tensioneve mes Shtëpisë së Bardhë dhe Vatikanit, pas kritikave të mëparshme të papës ndaj luftës SHBA–Izrael kundër Iranit. Mosmarrëveshja vjen gjithashtu përpara një takimi të planifikuar në Vatikan mes Papa Leonit dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio. /abcnews