Mbreti Charles në Kongresin e SHBA-së: Thirrje për unitet SHBA–Britani

Mbreti Charles në Kongresin e SHBA-së: Thirrje për unitet SHBA–Britani

Bota April 28, 2026 - 22:29

Mbreti Charles i Britanisë ka mbajtur një fjalim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara gjatë vizitës së tij shtetërore në Washington, ku më herët është takuar edhe me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në fjalimin e tij, monarku britanik vuri theksin te marrëdhëniet historike dhe aleanca e fortë mes dy vendeve, duke e cilësuar partneritetin SHBA–Britani si një nga më të rëndësishmit në botë. Ai bëri thirrje për unitet dhe për ruajtjen e vlerave të përbashkëta demokratike në një kohë pasigurie globale.

Charles foli edhe për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, përfshirë reagimin e përbashkët pas sulmeve të 11 shtatorit dhe mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Ai theksoi se sfidat aktuale kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë mes aleatëve.

Gjatë fjalimit, mbreti trajtoi edhe çështjen e mjedisit, duke paralajmëruar për rrezikun që i kanoset natyrës dhe duke kërkuar përgjegjësi më të madhe globale për mbrojtjen e saj.

Charles u bë monarku i dytë britanik që i drejtohet Kongresit amerikan, pas Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1991. Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje të gjata nga ligjvënësit amerikanë.