Sulmi në Washington s’e ndal fitoren ndaj Iranit, thotë Trumpi

Sulmi në Washington s’e ndal fitoren ndaj Iranit, thotë Trumpi

Bota April 26, 2026 - 14:17

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se një incident me të shtëna në një ngjarje në Uashington, ku ai po merrte pjesë, nuk do ta ndalojë atë nga fitimi i luftës me Iranin.

Megjithatë, ai shtoi se nuk beson se incidenti lidhet me konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Nuk do të më ndalojë nga fitimi i luftës në Iran”, tha Trump në një konferencë për shtyp natën e 25 prillit, rreth 40 minuta pas të shtënave me armë zjarri në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në një hotel në Uashington.

“Nuk e di nëse kishte ndonjë lidhje me këtë. Sinqerisht, nuk besoj, bazuar në atë që dimë”, tha Trump.Trump, nënpresidenti JD Vance dhe disa drejtues të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë u larguan me shpejtësi nga agjentët e shërbimit sekret pasi u dëgjuan të shtëna pranë një pike kontrolli jashtë sallës ku Trump po përgatitej të mbante fjalim.

Zyrtarët thanë se motivet e të dyshuarit nuk dihen ende. I dyshuari u arrestua dhe ndaj tij pritet të ngrihet aktakuzë më 27 prill.

Ndërkohë, Trump e anuloi të shtunën një udhëtim të planifikuar për në Pakistan nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, për bisedime me Iranin për arritjen e paqes.

“Thjesht e anulova udhëtimin e përfaqësuesve të mi që do të shkonin në Islamabad, Pakistan, për t’u takuar me iranianët”, tha Trump të shtunën mbrëma.

“Shumë kohë e humbur nëpër udhëtime, shumë punë! Përveç kësaj, ka përçarje të mëdha dhe hutim brenda ‘udhëheqjes’ së tyre”, tha Trump.

Më pas, Trump u citua nga Axios duke thënë në një intervistë të shkurtër se anulimi i udhëtimit nuk do të thotë automatikisht rifillim i luftës me Iranin.Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, e zhvilloi atë që e quajti “turne në kohën e duhur” në kryeqytetin pakistanez të shtunën, për t’i bashkërenduar “çështjet dypalëshe” me zyrtarët pakistanezë, para se të vazhdonte drejt Omanit dhe Rusisë.

Irani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Trump deri tani e ka hedhur poshtë.

Teherani gjithashtu e ka hedhur poshtë zgjatjen e njëanshme të armëpushimit nga Trump si “të pakuptimtë” derisa bllokada vazhdon të mbetet në fuqi.

Qëkurse SHBA-ja dhe Izraeli nisën bombardimet në Iran më 28 shkurt, zyrtarët amerikanë dhe iranianë kanë mbajtur një rund bisedimesh për paqe, më 11-12 prill në Pakistan, por nuk arritën marrëveshje për përfundimin e luftës./Radio Evropa e Lire