Delegacionet e Iranit dhe SHBA-së nisen drejt Pakistanit mes paqartësive rreth bisedimeve për paqe
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka mbërritur në Pakistan të shtunën, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten të çojnë të dërguar të lartë në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, për atë që Uashingtoni e përshkroi si një rund të ri bisedimesh për t’i dhënë fund luftës me Iranin, pavarësisht se Teherani e mohoi se ishte caktuar ndonjë takim me zyrtarë amerikanë.
Ministri iranian Araqchi mbërriti në kryeqytetin pakistanez të shtunën në mëngjes herët, dhe shkroi në X se vizita e tij është “një turne në kohën e duhur” për t’i bashkërenduar “çështjet dypalëshe” me zyrtarët pakistanezë, para se të vazhdojë drejt Omanit dhe Rusisë.
“Fqinjët tanë janë prioriteti ynë”, tha Araqchi, i cili po udhëheq delegacionin.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili udhëhoqi rundin e parë të bisedimeve me SHBA-në në Pakistan më 11-12 prill, nuk ka udhëtuar për në Islamabad.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, ishte më i drejtpërdrejtë, duke shkruar në X se “nuk është planifikuar asnjë takim midis Iranit dhe SHBA-së” dhe se qëndrimet e Teheranit do t’i “përcillen Pakistanit”, e jo drejtpërdrejt negociatorëve amerikanë.
Transmetuesi shtetëror iranian, IRIB, raportoi të shtunën se Araqchi do të takohet me shefin e ushtrisë pakistaneze, marshallin Asim Munir, për t’ia përcjellë përgjigjen e Iranit ndaj propozimit të tij për një marrëveshje me SHBA-në.
IRIB shtoi, pa dhënë hollësi, se kjo përgjigje “është gjithëpërfshirëse dhe merr parasysh të gjitha konsideratat e Teheranit”.
Witkoff dhe Kushner drejt Pakistanit
Uashingtoni dha një version tjetër të ngjarjeve.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se i dërguari special, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, do të udhëtojnë në Islamabad të shtunën për atë që ajo e përshkroi si “bisedime të drejtpërdrejta, të ndërmjetësuara nga pakistanezët” me delegacionin iranian.
Leavitt tha se administrata ka “parë disa përparime nga pala iraniane në ditët e fundit”.
Nënpresidenti JD Vance, i cili udhëhoqi ekipin amerikan gjatë rundit të parë të bisedimeve në Islamabad, nuk do të udhëtojë këtë fundjavë, por mbetet i gatshëm të fluturojë drejt kryeqytetit pakistanez, shtoi ajo.
“Të gjithë do të jenë në gatishmëri për të fluturuar drejt Pakistanit nëse është e nevojshme”, tha Leavitt.
Irani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Trump deri tani e ka hedhur poshtë.
Teherani gjithashtu e ka hedhur poshtë zgjatjen e njëanshme të armëpushimit nga Trump si “të pakuptimtë” derisa bllokada vazhdon të mbetet në fuqi.
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar ditët e fundit, me Iranin që ka sekuestruar dy anije dhe ka qëlluar ndaj një anijeje tjetër, pasi SHBA-ja kapi një anije me flamur iranian./REL