Poloni: Ariu sulmon për vdekje një grua
Një grua 58-vjeçare ka humbur jetën pasi u sulmua nga një ari në një zonë të thellë malore në Polonia, sipas autoriteteve lokale dhe dëshmisë së djalit të saj.
Ngjarja tragjike ndodhi në një pyll pranë qytetit Pëonna, në rajonin juglindor të Bieszczady, ku gruaja po shëtiste e ndarë nga djali i saj 27-vjeçar.
Siç raportoi BBC, i riu ishte në telefon me të ëmën në momentin e sulmit, kur papritur dëgjoi britmat e saj: “Ari, ari!”, përpara se linja të ndërpritej.
Ai njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës, por kur ekipet mbërritën në vendngjarje, gruaja ishte tashmë pa shenja jete. Një zjarrfikës deklaroi për mediat se viktima kishte pësuar lëndime të rënda dhe të thella në kokë, transmeton klankosova.
Pas incidentit, autoritetet e komunës Bukowsko u bënë thirrje banorëve që të shmangin hyrjen në zonat përreth pyjore, për shkak të rrezikut të shtuar nga prania e ariut.
Në Poloni jetojnë rreth 100 arinj të murrmë, shumica e tyre në rajonin Bieszczady, dhe raste të tilla fatale janë shumë të rralla. Sipas mediave lokale, sulmi i fundit me pasoja vdekjeprurëse ishte regjistruar në vitin 2014.
Zëdhënësi i shërbimeve të emergjencës, Paweë Giba, bëri të ditur se alarmi u dha rreth orës 10:30 me orën lokale, ndërsa ekipet e shpëtimit u përballën me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të ashpër dhe mungesës së sinjalit telefonik në zonë.