Kina, gati ta ndihmojë Afrikën për pasojat e luftës me Iranin
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë vendet afrikane për t’u përballur me pasojat ekonomike të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Ai i bëri këto komente gjatë takimit në Pekin me presidentin e Mozambikut, Daniel Chapo.
Kjo është vizita e parë e një lideri afrikan që nga nisja e konfliktit, në një kohë kur Kina po zhvillon takimetë njëpasnjëshme me liderë të huaj, para vizitës së pritur të Donald Trump në maj, raporton CNN.
Ndërkohë, presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, akuzoi Kinën për presion, pasi anuloi një vizitë në Eswatini për shkak të bllokimit të hapësirës ajrore nga disa vende.
Vendet afrikane, që varen nga importet e energjisë dhe ushqimit, janë ndër më të prekurat nga kriza globale, sidomos pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Xi theksoi se Kina do të bashkëpunojë me Afrikën për të përballuar sfidat dhe për të nxitur zhvillimin, ndërsa Pekini planifikon të heqë tarifat për importet nga shumica e vendeve afrikane duke filluar nga 1 maji.