Ushtari francez vritet në sulm me dron ndaj një baze në Irak, reagon menjëherë Macroni

Ushtari francez vritet në sulm me dron ndaj një baze në Irak, reagon menjëherë Macroni

Bota March 13, 2026 - 08:10

Një ushtar francez ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë plagosur në një sulm me dron ndaj trupave në rajonin e Erbilit në Kurdistanin irakian. Këtë informacion e ka konfirmuar presidenti francez, Emmanuel Macron.

Një pjesëtar i forcave të armatosura “ka vdekur për Francën gjatë sulmit në rajonin e Erbilit në Irak”, ka shkruar Macroni në rrjetin social X.

Kjo është gjithashtu viktima e parë mes ushtarëve francezë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i konfliktit të ri që u përshkallëzua në fund të muajit të kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kryen sulme ndaj Iranit.

Macroni shtoi se disa ushtarë të tjerë u plagosën në këtë incident. Më herët, ushtria franceze kishte njoftuar se gjashtë ushtarë u plagosën të enjten në një sulm me dron ndërsa po zhvillonin stërvitje.

“Nënoficeri Arnaud Frion nga batalioni i 7-të i gjuetarëve alpinë nga Varces ka vdekur për Francën gjatë një sulmi në rajonin e Erbilit në Irak. Familjes së tij, si dhe vëllezërve të tij në armë, dua t’u shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin e kombit. Disa nga ushtarët tanë janë plagosur. Franca qëndron pranë tyre dhe familjarëve të tyre. Ky sulm ndaj forcave tona, të cilat që nga viti 2015 janë të angazhuara në luftën kundër ISIS-it, është i papranueshëm. Prania e tyre në Irak zhvillohet në kuadër të rreptë të luftës kundër terrorizmit. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla”, ka pohuar Macroni.

Ushtarët ishin “të angazhuar në aktivitete trajnimi për luftën kundër terrorizmit me partnerët irakianë”, deklaroi një anëtar i shtabit të përgjithshëm për AFP, duke shtuar se trupat e plagosur u dërguan menjëherë në institucionin më të afërt mjekësor.