Ministri i Jashtëm iranian: Me emërimin e Mojtaba Khamaneit, SHBA-ja dhe Izraeli dështuan ta ndryshojnë regjimin
Ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se me emërimin e Mojtaba Khameneit si udhëheqësi i ri suprem i Iranit, SHBA-ja dhe Izraeli kanë dështuar në qëllimin e tyre për ndryshim regjimi.
Në një intervistë me PBS News Hour që transmetua të hënën në mbrëmje, Araghchi tha se nuk mendonte se SHBA-të dhe Izraeli kanë një qëllim përfundimtar realist dhe tani thjesht po mbjellin kaos, shkruan The Guardian.
“Ata menduan se, brenda dy ose tre ditësh, mund të shkonin për një ndryshim regjimi, mund të shkonin për një fitore të shpejtë dhe të pastër, por dështuan… ata dështuan të arrinin qëllimet e tyre në fillim dhe tani, pas 10 ditësh, mendoj se janë pa qëllim”, tha Araghchi.
Kur u pyet për ndërprerjet e përhapura që konflikti ka shkaktuar në furnizimin me naftë, të cilat nga ana tjetër po shkaktojnë paqëndrueshmëri në tregjet në mbarë botën, Araghchi pohoi se rritja e çmimeve të naftës nuk ishte faji i Iranit.
“Ky nuk është plani ynë Prodhimi i naftës, transporti i naftës është ngadalësuar ose ndaluar jo për shkakun tonë, por për shkak të sulmeve dhe agresionit të bërë nga izraelitët dhe amerikanët kundër nesh. Kështu që ata e kanë bërë të gjithë rajonin të pasigurt. Dhe kjo është arsyeja pse tankerët, anijet kanë frikë të kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit”, theksoi ai.
Ai vazhdoi: “Ne nuk e kemi mbyllur atë ngushticë. Nuk e kemi mbyllur – nuk po i pengojmë ata të lundrojnë në atë ngushticë. Por ky është rezultat i agresionit nga izraelitët dhe amerikanët, i cili e ka bërë të gjithë rajonin të pasigurt dhe të paqëndrueshëm”. /abcnews