Zelensky: 11 vende kërkojnë ndihmën e Ukrainës kundër dronëve iranianë

Zelensky: 11 vende kërkojnë ndihmën e Ukrainës kundër dronëve iranianë

Bota March 10, 2026 - 08:08

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se 11 vende i kanë kërkuar Ukrainës ndihmë për mënyrën se si të përballen me dronët iranianë që po përdoren nga Teherani si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikano-izraelite.

Ukraina është përballur prej kohësh me sulme të vazhdueshme nga dronët sulmues “Shahed”, të prodhuar nga Irani dhe të përdorur nga Rusia, aleate e Teheranit. Këta dronë tashmë po përdoren edhe në sulme në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Deri tani kemi 11 kërkesa nga vende fqinje me Iranin, nga shtete evropiane dhe nga SHBA. Ka interes të qartë për përvojën e Ukrainës në mbrojtjen e jetëve, për interceptorët përkatës, sistemet e luftës elektronike dhe trajnimin”, tha Zelensky, pa specifikuar se cilat janë vendet që kanë bërë kërkesën.

 

“Disa ekspertë ukrainas të dronëve janë tashmë në rrugë drejt Lindjes së Mesme dhe pritet të mbërrijnë atje gjatë kësaj jave”, shtoi ai

Ukraina ka propozuar gjithashtu një marrëveshje shkëmbimi, të furnizojë partnerët me dronë interceptorë, mjete të projektuara për të shkatërruar dronët sulmues në ajër në këmbim të raketave të shtrenjta të mbrojtjes ajrore, të cilat Kievit i mungojnë.

“Përveç teknologjisë, Ukraina ka fituar edhe një përvojë të madhe operacionale në mbrojtjen nga dronët”, tha Igor Fedirko, drejtues i Këshillit të Industrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

“Askush në botë nuk ka ekspertizën dhe përvojën që kemi ne. Ne përdorim sisteme të kombinuara, detektorë akustikë dhe sensorë, sisteme paralajmërimi të hershëm dhe lloje të ndryshme radarësh”,  tha Fedirko.

Sipas të dhënave të forcave ajrore ukrainase, ushtria arrin të interceptojë ose rrëzojë mbi 80% të dronëve rusë që lëshohen çdo natë, të cilët arrijnë në qindra.

Për mbrojtjen e hapësirës ajrore, Ukraina përdor një kombinim mjetesh, dronë interceptorë të lirë, sisteme të luftës elektronike që bllokojnë sinjalet, armë kundërajrore, avionë luftarakë dhe helikopterë.

Megjithatë, Fedirko theksoi se kjo përvojë dhe teknologji ka ardhur me një kosto shumë të lartë. “Këto teknologji i kemi fituar me një çmim të madh, me gjakun dhe jetën e qytetarëve dhe ushtarëve tanë dhe ato nuk mund të jepen falas”, u shpreh ai.