“Kjo është një katastrofë”, reagime në Ukrainë pas pezullimit të ndihmës ushtarake nga SHBA-ja
Foto: EPA-EFE

“Kjo është një katastrofë”, reagime në Ukrainë pas pezullimit të ndihmës ushtarake nga SHBA-ja

Bota March 04, 2025 - 09:33

Ka pasur tronditje dhe shqetësim në Ukrainë pas lëvizjes së Washingtonit për të pezulluar furnizimet me armë.

“Kjo është një katastrofë dhe ne e pamë atë duke ardhur”, thotë deputeti Oleksiy Honcharenko. Megjithatë, ai argumenton se “jo gjithçka është e humbur” dhe Ukraina duhet “të luftojë për paqen, jo për kapitullim”.

Deputeti tjetër, Volodymyr Aryev e quan lëvizjen një “goditje shumë të dhimbshme për mbrojtjen e Ukrainës”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Vendimi vjen pas përplasjes që pati të premten me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti ka qenë i qartë se ai është i fokusuar në paqe. Ne kemi nevojë që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, ka deklaruar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Një zyrtar tjetër tha se pauza do të zbatohet për të gjitha pajisjet ushtarake që nuk janë ende brenda Ukrainës.

Trumpi kritikoi sërish të hënën Zelenskyn. Ai ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt është duke i ardhur fundi, teksa e ka kritikuar rezistencën e presidentit ukrainas ndaj idesë për armëpushim të shpejtë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa pasur garanci konkrete të sigurisë, siç ka kërkuar ai nga SHBA-ja.