Izraeli vret një komandant të Hamasit në Bregun Perëndimor

Izraeli vret një komandant të Hamasit në Bregun Perëndimor

Bota August 03, 2024 - 09:56

Një sulm ajror izraelit ndaj një automjeti në Bregun Perëndimor të pushtuar këtë mëngjes vrau një komandant të grupit të armatosur palestinez Hamas.

Një udhëheqës lokal i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadat Izz a-Din al-Qassam, u vra këtë mëngjes në një sulm ajror në Tulkarem.

Bëhet fjalë për Haythem Balidi, shkruan timesofisrael.

Në total, pesë persona u vranë në sulm, raportojnë mediat palestineze.

Dhuna në Bregun Perëndimor ishte në rritje përpara se të fillonte lufta izraelito-Hamas në Gaza më 7 tetor dhe ka vazhduar të rritet që atëherë, me sulme të shpeshta izraelite në këtë territor, ku mund të krijohet një shtet i Palestinës.

Tensionet në të gjithë rajonin janë rritur këtë javë pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran të mërkurën, një ditë pasi një sulm izraelit në Bejrut vrau komandantin e lartë ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr.

Vdekja e Haniyeh është një nga një seri vrasjesh të liderëve të lartë të Hamasit, ndërsa lufta në Gaza midis militantëve palestinezë dhe Izraelit po i afrohet muajit të 11-të dhe shqetësimet rriten për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Si Hamasi ashtu edhe Irani kanë akuzuar Izraelin për vrasjen dhe janë zotuar për hakmarrje. Izraeli as nuk e ka marrë dhe as nuk e ka mohuar përgjegjësinë për vdekjen e Haniyeh.

Hezbollahu, ashtu si Hamasi, ka mbështetjen e Iranit, i cili është zotuar për hakmarrje. /Telegrafi/