Aktivistët e liruar rusë zotohen se do të vazhdojnë luftën për një Rusi të lirë

Aktivistët e liruar rusë zotohen se do të vazhdojnë luftën për një Rusi të lirë

Bota August 02, 2024 - 23:00

Tre aktivistë rusë, që u liruan në kuadër të këmbimit të të burgosurve të orkestruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, falënderuan të gjithë ata që ndihmuan në lirimin e tyre dhe paralajmëruan se nuk duhet të besohet se të gjithë rusët mbështesin pushtimin rus të Ukrainës.

Vladimir Kara-Murza, Andrei Pivovarov, dhe Ilya Yashin, që ishin të burgosur në Rusi për shkak se kundërshtuan luftën, mbajtën një konferencë për media në Bon të Gjermanisë më 2 gusht, një ditë pas këmbimit historik të të burgosurve.

Kara-Murza, që ka shtetësi ruse dhe britanike, tha se 16 jetë u shpëtuan në këmbimin e të burgosurve, përmes së cilit u liruan edhe shtetasit amerikanë, Alsu Kurmasheva, Evan Gershkovich, dhe Paul Whelan, të cilët shkuan në SHBA më 1 gusht dhe u bashkuan me familjarët e tyre.

Kara-Murza tha se dallimi mes diktaturës dhe demokracisë është se në demokraci jeta e njeriut është e shenjtë. Ai i bëri thirrje botës që të bëjë dallimin mes popullit të Rusisë dhe presidentit të këtij shteti.

“Ka shumë njerëz në Rusi që janë kundër luftës, që nuk i besojnë propagandës së Kremlinit”, tha kritiku i Kremlinit, i cili ishte duke vuajtur 25 vjet burgim nën kushte të rënda, para se të lirohej. /REL