Pakti për armëpushim në Gazë është duke u finalizuar, thotë një zyrtar palestinez

Pakti për armëpushim në Gazë është duke u finalizuar, thotë një zyrtar palestinez

Bota January 14, 2025 - 08:39

Kushtet e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve janë duke u finalizuar, i ka thënë televizionit BBC një zyrtar palestinez i afërt me bisedimet.

Deklarata e tij erdhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se një marrëveshje ishte “buzë” përmbushjes dhe se administrata e tij ishte duke punuar urgjentisht në këtë çështje, raporton televizioni BBC.

Një zyrtar izraelit i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se bisedimet ishin në “faza të avancuara”, ndërsa një marrëveshje ishte e mundshme pas disa “orëve, ditëve ose më shumë”.

Bideni bisedoi të dielën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe të hënën me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani.

Zyrtari palestinez i tha BBC-së se Hamasi dhe zyrtarë izraelitë ishin duke zhvilluar bisedime të tërthorta në ndërtesën e njëjtë të hënën.

Duke zbuluar disa hollësi të mundshme të marrëveshjes, zyrtari deklaroi se “diskutimet e hollësishme teknike morën kohë të konsiderueshme”.

Të dyja palët u pajtuan që Hamasi do të lironte tri pengje në ditën e parë të marrëveshjes, ndërsa më pas Izraeli do ta fillonte tërheqjen e trupave nga zonat e populluara.

Shtatë ditë më pas, Hamasi do të lironte katër pengje shtesë, ndërsa Izraeli do t’i lejonte njerëzit e zhvendosur në jug që të riktheheshin në pjesën veriore të enklavës, por vetëm në këmbë përmes rrugës bregdetare.

Marrëveshja përfshin dispozita që forcat izraelite të mbeten në korridorin Filadelfi dhe të mbajnë një zonë neutral 800-metërshe përgjatë kufijve lindorë dhe veriorë të Gazës gjatë fazës së parë të armëpushimit, e cila do të zgjasë 42 ditë.

Izraeli gjithashtu është pajtuar për të liruar 1.000 të burgosur palestinezë, përfshirë rreth 190 të cilët kanë qenë duke vuajtur dënime me burgim prej 15 vjetësh ose më shumë. Si këmbim, Hamasi do të lirojë 34 pengje.

Bisedimet për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të fillonin në ditën e 16-të të armëpushimit, nëse gjithçka zhvillohet sipas planit.