Rusia kërcënon me sulm caqet britanike nëse Ukraina i përdor armët e saj për të sulmuar territorin rus

Rusia kërcënon me sulm caqet britanike nëse Ukraina i përdor armët e saj për të sulmuar territorin rus

Bota May 23, 2024 - 15:17

Moska do të hakmerret me sulme ndaj objektivave britanike nëse armët britanike përdoren nga Ukraina për të goditur territorin rus, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Bëhet e ditur se Zakharova tha se në një skenar të tillë, “objektivat britanike në territorin e Ukrainës dhe përtej kufijve të saj” mund të goditen.

Ajo e përsëriti paralajmërimin që Moska e bëri për herë të parë në fillim të këtij muaji, kur Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se Ukraina ka të drejtë të përdorë armët e ofruara nga Londra për të goditur objektivat brenda Rusisë, shkruan Reuters.

“Ukraina e gëzon atë të drejtë”, tha Cameroni.

“Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni plotësisht pse Ukraina ndjen nevojën për t’u siguruar që po mbrohet”, shtoi ai.

Gjithashtu, Cameron ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë 3 miliardë paund (3.5 miliardë euro) në vit për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Rusia reagoi me zemërim ndaj deklaratave të sekretarit britanik dhe i përmendi ato si një nga arsyet pse ka vendosur të zhvillojë stërvitje për të simuluar lëshimin e raketave taktike bërthamore. /Telegrafi