Forcat izraelite depërtojnë thellë në Rafah

Forcat izraelite depërtojnë thellë në Rafah

Bota May 23, 2024 - 10:47

Tanket izraelite kanë përparuar në një lagje thellë brenda Rafahut, gjatë një prej netëve më intensive të bombardimeve në qytetin jugor të Gazës që kur Izraeli filloi ofensivën para një muaji.

Siç raportohet, sulmi i Izraelit në Rafah ka bërë që mijëra njerëz të ikin nga ajo që kishte qenë strehë për gjysmën e banorëve të enklavës.

Gjithashtu, sulmi ka ndërprerë edhe rrugët kryesore të hyrjes së ndihmave në Gazë, duke shkaktuar frikë ndërkombëtare për viktima masive.

Por, Izraeli thotë se nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të sulmojë qytetin për, siç thuhet, “të çrrënjosur batalionet e fundit të Hamasit”.

Që nga fillimi i muajit trupat e tij kanë lëvizur ngadalë drejt Rafahut, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, së fundmi tanket izraelite kanë zënë pozicione të reja përgjatë vijës kufitare me Egjiptin dhe janë vendosur në lagjen Yibna në qendër të qytetit.

Image

Banorët palestinezë thanë se dronët izraelitë kanë sulmuar Yibnan dhe kanë hapur zjarr mbi disa anije.

“Nuk janë ndaluar zjarret izraelite gjatë gjithë natës, nga dronët, helikopterët, aeroplanët luftarak dhe tanket”, tha një banor i Rafahut, duke kërkuar që emri i tij të mos zbulohej për të mos rrezikuar sigurinë e tij.

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë një numër luftëtarësh në veri të Rafahut, ku trupat e saj kanë zhvilluar operacione të mëdha “për shkatërrimin e Hamasit”.

Madje, ushtria e Izraelit thotë se ka vrarë një person të identifikuar si Ahmed Yasser Alkara, i përshkruar si operativ kyç i Hamasit, së bashku me dy militantë të tjerë.

“Alkara mori pjesë në masakrën e 7 tetorit në jug të Izraelit dhe ishte një operativ i rëndësishëm që kreu sulme ndaj trupave të IDF-së gjatë luftës”, thuhet në deklaratën ushtarake të Izraelit.

Ndryshe, UNWRA, agjencia kryesore e OKB-së në Gazë, vlerëson se më shumë se 800 mijë njerëz janë larguar nga Rafahu që kur Izraeli filloi të sulmonte qytetin, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare.