Sulmet ruse lënë pa energji 4.5 milionë banorë në Ukrainë

Sulmet ruse lënë pa energji 4.5 milionë banorë në Ukrainë

Bota November 04, 2022 - 08:02

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Kremlinin për “terrorizëm energjitik”, pasi 4.5 milionë qytetarë në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e sulmeve ruse në rrjetin energjitik të vendit.

Zelensky është shprehur se ushtria ruse po humbet në fushën e betejës, e për këtë Kremlini ka nisur sulmet në infrastrukturën energjitike të vendit. Javët e fundit, Rusia ka kryer sulme në shkallë të gjerë me raketa dhe drone në objektet e energjitike në Ukrainë.

Sulmet vijnë pasi zyrtarët thonë se trupat ruse ka të ngjarë të tërhiqen nga qyteti kyç jugor Kherson, raporton BBC.

Vetëm muajin e fundit, një e treta e termocentraleve të vendit thuhet se janë shkatërruar, sipas Presidentit Zelensky. Si rezultat, qeveria ukrainase është detyruar të nxisë popullsinë të përpiqet të përdorë energjinë me kursim.

“Sonte, rreth 4.5 milionë konsumatorë janë shkëputur përkohësisht nga konsumi i energjisë”, tha Presidenti Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes së djeshme.

Ai tha se shënjestrimi i infrastrukturës energjetike nga Rusia ishte një shenjë “dobësie” pasi forcat ruse nuk arrijnë të fitojnë shumë terren në vijën e frontit. /abcnews