Izraeli thotë se është sulmuar me raketa nga Irani
Ushtria izraelite tha më 1 tetor se Irani kishte nisur raketa në drejtim të Izraelit dhe se cak i predhave të lëshuara nga Irani janë rreth dhjetë milionë civilë në zona të ndryshme të vendit.
Autoritetet në Izrael gjithashtu raportuan se sirena alarmi u lëshuan nëpër të gjithë Izraelin dhe se banorët janë udhëzuar të kërkojnë strehim të sigurt.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga sulmet me raketa të Iranit dhe për ta mbrojtur personelin ushtarak amerikan në rajon.
Ai e dha këtë deklaratë në platformën X, pas një takimi që zhvilloi me zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe ekipin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Më herët, një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar se Irani po përgatitet për të nisur një sulm "të menjëhershëm" me raketa balistike ndaj Izraelit, duke shtuar se do të kishte "pasoja të rënda" nëse një gjë e tillë ndodh.
Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po mbështesin aktivisht përgatitjet e Izraelit për mbrojtje. Anije dhe avionë amerikanë janë vendosur në rajon për ta ndihmuar Izraelin në rast të një sulmi./REL