Shqetësim për vaksinat e papërdorura, OKB: Të gatshëm për të ndihmuar shtetet me shpërndarjen e dozave
Foto ilustruese, Wikimedia Commons

Shqetësim për vaksinat e papërdorura, OKB: Të gatshëm për të ndihmuar shtetet me shpërndarjen e dozave

Bota August 06, 2021 - 18:03

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shfaqur shqetësimin e saj për situata ku vaksinat kundër COVID-19 kanë mbetur të papërdorura.

Zëdhënësi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric përgjatë një deklarate shprehu shqetësimin për situatat ku vaksinat kanë mbetur pa u përdorur për arsye administrative, për shkak të mungesës së kujdesit të duhur, ose si pasojë e hezitimit për t’u vaksinuar.

Një shqetësim i tillë vjen në mes të rrezikut nga përhapja e variantit ‘Delta’, ashpërsimit të masave anti-COVID, si dhe thirrjes që po bëjnë shumica e qeverive për bërjen e një doze të tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara u shprehën të gatshme për të ndihmuar shtetet me shpërndarjen e dozave të vaksinës, një nismë kjo që mund të bëhet “vetëm në bazë të kërkesave të qeverive”.

Sa i përket programit të shpërndarjes së vaksinave, COVAX deri tani ka shpërndarë 186.2 milionë doza në 138 shtete.

Sipas të dhënave të UNICEF-it, COVAX synon të sigurojë 2 miliardë doza për vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme deri në fund të vitit 2021.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar mbi 60 vendeve më shumë se 110 milionë doza të vaksinës. /euronews.al