Tensioni Rusi-Ukrainë, Merkeli i kërkon Putinit të zvogëlojë praninë e trupave

Tensioni Rusi-Ukrainë, Merkeli i kërkon Putinit të zvogëlojë praninë e trupave

Bota April 09, 2021 - 22:34

Vazhdojnë të rriten tensionet midis Kievit dhe Moskës, teksa të dy shtetet vazhdojnë të dislokojnë trupa ushtarake në kufi me rajonin autonom të Donbasit. Pas vizitës së Presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski në rajonin e Donjeskut ku ndodhen rreth 15 mijë trupa ukrainase, zyrtari rus Dimitri Kozak deklaroi se trupat ruse janë gati të përballojnë çdo sulm eventual.

“Situata në rajonin e Donbas është duke u përkeqësuar, dhe këtë e shohim të gjithë. Komandantët dhe ushtarët tanë, janë vënë nën sulmin e snajperistëve rusë”, tha Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.

Kufiri – i njohur si vija e kontaktit – midis Ukrainës dhe territoreve të saj separatiste në rajonin lindor të Donbas është mbyllur që nga marsi i vitit 2020. Miliona familje janë ndarë

“Sot çdo gjë varet nga fuqia e zjarrit. Nëse ekziston situata, siç e quan Presidenti ynë e një “Srebrenice, ne do të jemi të detyruar të mbrohemi. Forcat ushtarake që ndodhen në kufi janë stërvitur mjaftueshëm në 7 vite luftime, sa për të përballuar çdo lloj sulmi”, tha Dmitry Kozak, Kryetar i Administratës Presidenciale të Rusisë.

Ditën e enjte, kancelarja gjermane Angela Merkel telefonoi Presidentin rus Vladimir Putin duke i kërkuar të tërhiqte trupat ruse nga zonat kufitare me Ukrainën. Të DY shtetet kanë nënshkruar në vitin 2014-n marrëveshjen e Minskut, e cila do të shërbente për të garantuar paqen në rajon, por që tani duket shumë larg qëllimit të saj./Euronews.al