Stuhia Dennis e sjell anijen 'fantazmë' nga Afrika në Irlandë

Stuhia Dennis e sjell anijen 'fantazmë' nga Afrika në Irlandë

Bota February 17, 2020 - 12:29

Një anije “fantazmë” është lëvizur nga dallgët e mëdha për mijëra kilometra, për të arritur në brigjet e Irlandës. Besohet se në lundrimin e saj pa kontroll ndikoi stuhia Dennis, e cila është përcjellë me erëra të fuqishme.

Anija me flamur të Tanzanisë, e quajtur Alta, ka qenë duke qëndruar në ujëra që nga tetori i vitit 2018, kur roja bregdetare amerikane e shpëtoi ekuipazhin e saj, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Së fundi, besohet se kjo anije ka lëvizur nga Afrika Perëndimore, nëpër ujërat e Portugalisë dhe Spanjës, afër Anglisë dhe në fund ka arritur në bregdetin e Irlandës.

Një zyrtar irlandez tha: “Kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë. Anija e ka bërë një lundrim të gjatë nga bregdeti afrikan, në perëndim të bregdetit spanjoll, në perëndim të bregdetit anglez për të ardhur deri këtu.”

Autoritetet po përpiqen ta gjejnë pronarin dhe të kontaktojnë me të. Sidoqoftë, në këto përpjekje kishin dështuar forcat detare amerikane, kur të parat e kishin gjetur anijen.

Një zëdhënës i rojës bregdetare irlandeze tha se valët e larta dhe batica mund të ndikojnë që anija të kthehet përsëri në ujë, duke paraqitur rrezik për anijet e tjera.