Lajm aspak i mirë, SHBA-ja ndryshon rregullat për ‘Green Card’

Lajm aspak i mirë, SHBA-ja ndryshon rregullat për ‘Green Card’

Bota shtator 23, 2018 - 16:32
Lexoni më shumë detaje

Administrata e Trump njoftoi se po përgatitet të propozojë një rregull të ri, i cili ua vështirëson marrjen e “Green Card”-it emigranteve të ndodhur ligjërisht në SHBA, dhe marrjen e vizave atyre që kanë qenë ndonjëherë të varur nga disa përfitime publike si Medicaid, kuponat ushqimorë apo strehimi publike.

Propozimi, i cili mund të bëhet rregull pas një të ashtuquajture “periudhë komenti publik”, rishkruan një normë të vitit 1999, e cila krijonte kufizime për emigrantët e varur nga përfitime në para, por nuk merrte parasysh kujdesin shëndetësor ose benefite të tjera jo monetare.

Nëpërmjet këtij propozimi, punonjësve te emigracionit i shtohen kompetencat për t’i mohuar vizën apo rezidencën e përhershme ligjore individëve që kanë pasur përfitime nga Medicaid e Supplemental Nutrition Assistance Program.

Ideja është të përjashtohet nga mundësia e rezidencës se përhershme personi që mund të kthehet në një “barrë publike”.

Sipas NBC News, variantet e mëhershme të propozimit përfshinin masa shumë më të rrepta që parashikonin kufizimin e dhënies së kartës jeshile dhe nënshtetësisë për emigrantët të cilët kishin përdorur Obamacare ose lehtësira të caktuara tatimore.

Nisma është pjesë e përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të frenuar si emigracionin e paligjshëm ashtu dhe atë të ligjëruar, çështje kjo të cilën e theksoi fort gjatë fushatës presidenciale e po kërkon ta kthejë në temë të rëndësishme edhe në zgjedhjet e mesit të mandatit në kongres. /TCH/