T’i ndalojë apo t’i ndërtojë, Evropa shqyrton mënyrat për të rregulluar rrjetet sociale

T’i ndalojë apo t’i ndërtojë, Evropa shqyrton mënyrat për të rregulluar rrjetet sociale

Auto&Tech November 05, 2026 - 23:09

Nisma e Francës për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare është rrëzuar në gjykatë, ndërsa ndalimi i ngjashëm në Australi po sfidohet para Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, një koalicion i ri evropian po propozon një zgjidhje tjetër: krijimin e platformave alternative, të ndërtuara në Evropë.

Më shumë se 150 organizata kanë njoftuar planet për të zhvilluar alternativa evropiane ndaj rrjeteve sociale të kompanive të mëdha teknologjike. Kjo nismë, e mbështetur nga Brukseli, po shfaqet si një alternativë ndaj përpjekjeve të disa qeverive për t’ua ndaluar fëmijëve përdorimin e platformave ekzistuese, një qasje që po përballet me pengesa ligjore.

Këtë javë, Australia mbrojti para Gjykatës së Lartë ndalimin e saj, të cilin e ka cilësuar si të parin në botë, për hapjen dhe mbajtjen e llogarive në rrjetet sociale nga personat nën moshën 16-vjeçare, transmeton Telegrafi.

Platforma Reddit dhe organizata për të drejtat digjitale Digital Freedom Project argumentojnë se ndalimi shkel një liri kushtetuese të nënkuptuar të komunikimit politik. Që nga dhjetori, masa ka çuar në mbylljen e pesë milionë llogarive, por ministrat pranojnë se zbatimi i saj nuk ka qenë aq efektiv sa pritej, pasi shumë fëmijë kanë arritur t’i anashkalojnë kontrollet e moshës.

Franca tashmë ka pësuar një humbje të ngjashme ligjore. Në gusht, Këshilli Kushtetues francez rrëzoi pjesën kryesore të ndalimit për personat nën 15 vjeç, duke vlerësuar se masa ishte tepër e gjerë dhe nuk përmbante garanci të mjaftueshme për verifikimin e moshës, të cilit do t’i nënshtroheshin të gjithë përdoruesit, përfshirë të rriturit.

Presidenti Emmanuel Macron i ka kërkuar qeverisë të hartojë një version më të kufizuar të ligjit.

Megjithatë, disa qeveri evropiane po vazhdojnë me planet e tyre. Greqia synon të vendosë ndalimin për personat nën 15 vjeç nga janari i vitit 2027, ndërsa Danimarka nga korriku i po atij viti. Spanja po shqyrton një kufizim për personat nën 16 vjeç, kurse Mbretëria e Bashkuar pritet ta prezantojë një ndalim të tillë vitin e ardhshëm.

Në shtator, Komisioni Evropian propozoi ligjin e njohur si “Kids Act”, i cili do t’ua ndalonte fëmijëve nën 13 vjeç hapjen e llogarive në rrjetet sociale dhe do të kufizonte qasjen për moshat 13 dhe 14 vjeç.

Nisma për krijimin e platformave evropiane mbështetet nga Brukseli

Të mërkurën, në Berlin mori formë një qasje tjetër. Shoqata Evropiane për Rrjetet Sociale, me mbështetjen e më shumë se 150 organizatave, përfshirë Mastodon, u themelua për të bashkërenduar zhvillimin e rrjeteve sociale të hapura dhe të decentralizuara, të cilat do të kontrollohen nga vetë komunitetet evropiane.

“Evropës i nevojitet një infrastrukturë sociale e hapur, ndërvepruese dhe e drejtuar nga komunitetet, e cila pasqyron vlerat e saj demokratike dhe i shërben interesit publik”, deklaruan bashkorganizatorët e nismës, Michael Foster dhe Björn Staschen.

Kjo ide gëzon njëfarë mbështetjeje edhe në Bruksel. Strategjia e Komisionit Evropian për burimet e hapura, e publikuar në qershor, i përfshin rrjetet sociale të decentralizuara në mesin e katër fushave ku do të mbështeten alternativat evropiane. Tri fushat e tjera janë shërbimet cloud, mjetet për punë dhe posta elektronike e sigurt.

“Natyrisht, ne e mirëpresim zhvillimin e platformave evropiane të rrjeteve sociale”, deklaroi për Euronews Next zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier.

Ai shtoi se strategjia synon zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike sovrane, zvogëlimin e varësisë nga teknologjitë e huaja dhe zgjerimin e alternativave me burim të hapur në fusha si shërbimet cloud, inteligjenca artificiale, teknologjitë e internetit, siguria kibernetike dhe gjysmëpërçuesit.

Regnier tha gjithashtu se Komisioni synon të mbështesë ndërmarrjet e reja dhe programet për përshpejtimin e zhvillimit të bizneseve, por nuk bëri të ditur ndonjë financim apo projekt konkret për rrjetet sociale.

Megjithatë, dy qasjet mund të përplasen. Ndalimi në Australi përfshin dhjetë platforma të mëdha komerciale, nga TikTok deri te YouTube. Ndërsa ligji francez, i cili u rrëzua, kishte një shtrirje shumë më të gjerë, duke përfshirë çdo shërbim ku përdoruesit mund të lidhen me njëri-tjetrin ose të ndajnë përmbajtje. Një përkufizim i tillë mund të përfshinte edhe rrjete të administruara nga komunitetet, si Mastodon.

Komisioni Evropian thotë se propozimi i tij “Kids Act” shmang shtrirjen e gjerë të ligjit francez. Në të parashikohen përjashtime për enciklopeditë, platformat edukative dhe mediat digjitale, ndërsa përmbajtja që mund të shikohet pa hapur një llogari do të mbetet e qasshme.

“Të gjitha shërbimet online do të duhet të dëshmojnë se janë të sigurta për të miturit”, tha Regnier, duke shtuar se propozimi synon ta përmbysë barrën e provës.

Sipas projektligjit, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të mund të kenë llogari në rrjetet sociale. Prindërit do të mund të krijojnë llogari të kufizuara për fëmijët 13 dhe 14 vjeç, ndërsa llogaritë e plota do të lejohen nga mosha 15-vjeçare.