Skandal në Danimarkë - të dhënat e 8.8 milionë njerëzve u ekspozuan për shkak të fjalëkalimit “123456”

Skandal në Danimarkë - të dhënat e 8.8 milionë njerëzve u ekspozuan për shkak të fjalëkalimit “123456”

Auto&Tech October 15, 2026 - 23:07

Një haker pretendon se arriti të ketë qasje në të dhënat personale të 8.8 milionë njerëzve në regjistrin qendror të popullsisë së Danimarkës, pasi përdori fjalëkalimin e dobët “123456” të një kompanie të teknologjisë informative.

Rasti përfshin kompaninë daneze Pays ApS, e cila kishte qasje të autorizuar në regjistrin qendror të personave, të njohur si CPR. Autoritetet daneze kanë konfirmuar se qasja legjitime e kompanisë u keqpërdor për të marrë të dhëna personale, ndërsa vetë kompania ka konfirmuar se qasja e saj ishte shfrytëzuar.

Sipas raportimeve të mediave daneze, të dhënat e ekspozuara përfshijnë emrat, adresat, numrat personalë të identifikimit dhe informacione të tjera. Hakeri pretendon se fjalëkalimi “123456” i mundësoi të hynte në sistemin e kompanisë.

Të paktën tri llogari të kompanisë dyshohet se përdornin të njëjtin fjalëkalim, përfshirë edhe një llogari administratori. Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Malwarebytes, qasja fillestare mund të ketë ardhur nga një fjalëkalim i zbuluar, i lidhur me një ish-punonjës të Pays.

Dokumentet e siguruara nga transmetuesi danez TV 2 tregojnë se sulmuesi kishte fituar qasje më 10 shtator dhe kishte kryer rreth 14 milionë kërkime të automatizuara deri më 20 shtator.

Sulmi u zbulua më 2 tetor, pasi u vërejt aktivitet jashtëzakonisht i lartë në një faturë. Pas kësaj, autoritetet ndërprenë qasjen e kompanisë në regjistër dhe njoftuan institucionin përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale. Policia ka nisur hetimet për rastin.

Sipas të dhënave të raportuara, rrjedhja përfshin informacione për rreth 5.5 milionë persona të gjallë dhe 3.3 milionë të vdekur. Megjithatë, të dhënat e personave që gëzojnë mbrojtje të veçantë për emrin dhe adresën nuk janë ekspozuar.

Personi që pretendon se qëndron pas sulmit ka deklaruar se nuk ka ndërmend t’i shesë apo t’i publikojë të dhënat e vjedhura. Autoritetet daneze po e hetojnë rastin, i cili ka ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve që përmbajnë informacione personale të miliona njerëzve.