Nëse Meta e humbet këtë gjyq, Instagram-i dhe Facebook-u mund të ndryshojnë përgjithmonë

Nëse Meta e humbet këtë gjyq, Instagram-i dhe Facebook-u mund të ndryshojnë përgjithmonë

Auto&Tech August 17, 2026 - 08:51

Meta përballet me një nga betejat më të rëndësishme ligjore në historinë e saj. Kompania që zotëron Facebook-un dhe Instagram-in, është në qendër të një procesi gjyqësor në SHBA, ku 29 shtete amerikane e akuzojnë se ka projektuar platformat e saj në mënyrë të tillë që të mbajë fëmijët dhe adoleshentët sa më gjatë të jetë e mundur në rrjetet sociale.

Gjyqi në gjykatën federale në Kaliforni, pritet të ketë pasoja të mëdha për mënyrën se si funksionojnë platformat e Meta-s.

Shtetet paditëse pretendojnë se kompania, ka shkelur ligjet për mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve dhe se ka mashtruar përdoruesit lidhur me sigurinë e platformave.

Nëse Meta humbet përballjen ligjore, gjykata mund të urdhërojë ndryshime të rëndësishme në Facebook dhe Instagram. Mes masave të kërkuara janë kufizimet e moshës, heqja e funksionit të lëvizjes së pafundme të përmbajtjes, ndryshimi i algoritmeve dhe kufizime të tjera për përdoruesit e rinj.

Shtetet kërkojnë gjithashtu që algoritmet të mos përdorin të dhënat e fëmijëve në mënyra që mund të ndikojnë negativisht tek ata.