Elon Musk humb betejën gjyqësore ndaj OpenAI, paralajmëron apelim
Miliarderi amerikan Elon Musk ka pësuar një tjetër humbje ligjore, pasi gjykata vendosi kundër tij në padinë ndaj OpenAI dhe bashkëthemeluesit të kompanisë, Sam Altman.
Sipas raportimeve të BBC-së, kjo është vetëm një nga disa disfatat gjyqësore që kanë shënuar muajt e fundit për sipërmarrësin dhe pronarin e platformës X.
Më herët, Musk kishte arritur marrëveshje me ish-punonjës dhe ish-zyrtarë të Twitter-it lidhur me pagesat e tyre, ndërsa në mars humbi edhe një proces të ngritur nga investitorët e kompanisë, të cilët pretendonin se ishin mashtruar gjatë blerjes së platformës.
Po ashtu, një gjykatë rrëzoi edhe padinë e tij kundër reklamuesve që kishin vendosur të largoheshin nga rrjeti social.
Ekspertët ligjorë vlerësojnë se, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme, pasuria dhe ndikimi i Muskut bëjnë që ai të vazhdojë përplasjet në gjykata pa hezitim.
Profesoresha e së drejtës në “Columbia Law School”, Dorothy Lund, u shpreh se deri tani askush nuk ka arritur të vendosë pasoja reale mbi Muskun apo veprimet e tij.
Pas vendimit më të fundit, Musk reagoi në platformën X, duke kritikuar ashpër gjyqtarin dhe duke paralajmëruar se do ta apelojë vendimin.