Meta do t’i lejojë prindërit t’i shikojnë temat mbi të cilat fëmijët diskutojnë me AI
Meta ka prezantuar një shërbim të ri mbikëqyrjeje prindërore, që u jep prindërve mundësinë të shohin temat e bisedave që adoleshentët zhvillojnë me Asistentin e saj të inteligjencës artificiale. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi zyrtar në blogun e Meta-s, duke synuar të adresojë shqetësimet në rritje mbi sigurinë e të miturve në platformat digjitale.
Funksioni i ri është i qasshëm përmes një skede “Insights” në mjetin e mbikëqyrjes prindërore për Instagram, Facebook dhe Messenger. Ai nuk shfaq përmbajtjen e plotë të bisedave, por vetëm kategori të përgjithshme temash, si shkolla, argëtimi, shkrimi, shëndeti dhe mirëqenia. Prindërit mund të klikojnë mbi secilën kategori për pak më shumë informacion, por detajet mbeten të kufizuara dhe mbulojnë vetëm shtatë ditët e fundit.
Kjo veçori vjen në një moment kur Meta ndodhet nën presion të madh ligjor dhe mediatik. Kompania ka humbur së fundmi dy gjyqe të rëndësishme që lidhen me sigurinë e fëmijëve dhe dizajnin që potencialisht krijon varësi ndaj produkteve të saj, megjithëse ka njoftuar se do t’i apelojë vendimet. Një nga çështjet, e zhvilluar në New Mexico, nxori në pah dokumente të brendshme që tregonin se drejtuesit e Metës ishin të vetëdijshëm për rreziqet e ndërveprimeve të papërshtatshme të “karaktereve” të IA me të mitur.
Si pasojë e kritikave, Meta ka pezulluar globalisht karakteret e IA për adoleshentët. Paralelisht, kompania ka bashkëpunuar me Cyberbullying Research Center për të krijuar “nxitës bisedash” mbi përdorimin e chatbot-ëve dhe ka formuar një Këshill Ekspertësh për Mirëqenien e IA, me pjesëmarrje nga institucione si National Council for Suicide Prevention, University of Michigan dhe Northeastern University./ KultPlus