Google hedh themelet për një qendër të inteligjencës artificiale në Indi, investim 15 miliardë dollarë
Google hodhi themelet për qendrën e inteligjencës artificiale në Indi. Ministri indian i Teknologjisë, Ashwini Vaishnaw së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në qytetin Visakhapatnam, në shtetin Andhra Pradesh.
“Është vërtet një fillim shumë i rëndësishëm që po bëjmë. Ajo që është e rëndësishme është afati shumë i shkurtër kohor në të cilin gjithçka ka arritur në këtë fazë sot”, tha Vaishnaw.
Duke folur për projektin, drejtori ekzekutiv i Google Cloud, Thomas Kurian në një video-mesazh tha se Qendra e IA është një “plan strategjik i projektuar për të nxitur vizionin e qeverisë ‘Viksit Bharat 2047’.”
“Viksit Bharat” është plani i qeverisë indiane për ta shndërruar Indinë në një vend të zhvilluar deri në vitin 2047.
“Po vendosim një stack të plotë të IA-së për të fuqizuar çdo konsumator indian dhe çdo ndërmarrje me fuqi të madhe llogaritëse dhe mjetet për të udhëhequr botën”, tha Kurian.
“Ne jemi të përkushtuar të investojmë në ekosistemin lokal për të ngritur bizneset dhe sipërmarrësit dhe për të avancuar zhvillimin e aftësive për të krijuar një të ardhme të qëndrueshme”, shtoi ai.
Sipas Google, “qendra do të kombinojë infrastrukturë të fuqishme të Inteligjencës artificiale, kapacitet të qendrave të të dhënave, burime të reja energjie në shkallë të gjerë dhe një rrjet të zgjeruar me fibra optike, të gjitha në një vend”.
Tetorin e kaluar, Google njoftoi planet për të ndërtuar qendrën e parë të Inteligjencës artificiale në Indi, duke premtuar një investim prej rreth 15 miliardë dollarësh gjatë pesë viteve. Përveç Google edhe Microsofti vitin e kaluar njoftoi një investim në Indi. Drejtori ekzekutiv i Microsoftit, Satya Nadella tha se do të investojnë 17.5 miliardë dollarë në Indi.