Von Cramoni vlerëson fjalimin e Donika Eminit në Bruksel: BE-së iu desh t'i shpjegohej se çfarë nenkupton pajtimi

Eurodeputetja Viola von Cramon, njëherësh ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian ka vlerësuar fjalimin e përfaqësueses së shoqërisë civile nga Kosova, Donika Emini, në Forumin për Politikën e Zgjerimit 2026 në Bruksel, ku kjo e fundit kritikoi ashpër interpretimin e një melodie të këngës nacionaliste serbe në një koncert të organizuar në kuadër të forumit.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, von Cramon e ka cilësuar fjalimin e Eminit si një nga analizat më të zgjuara të politikës së jashtme, duke theksuar se asaj iu desh t’ua shpjegonte përfaqësuesve të Bashkimit Evropian se çfarë nënkupton pajtimi përpara se të ndërmerret hapi i ardhshëm i zgjerimit të BE-së.

“ Ishte analiza më e zgjuar e politikës së jashtme nga Donika Emini , së cilës iu desh t’i shpjegonte BE-së se çfarë nënkupton pajtimi përpara se të mund të ndodhë hapi i ardhshëm i zgjerimit të BE-së. Për këtë, mos luani këngë nacionaliste serbe tejet kontroverse, të cilat kanë shkaktuar aq shumë vuajtje”- ka shkruar von Cramon.