Arrestimi i dy të dyshuarve për grabitjet e dy argjendarive në Gjakovë - sekuestrohen para, ar dhe një veturë
Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka ndërmarrë veprime ndaj dy personave të dyshuar për përfshirje në dy grabitje të armatosura të argjendarive në qytetin e Gjakovës, të ndodhura më 5 dhe 16 nëntor.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet intensive kanë çuar më 17 nëntor në bastisjen e pronës së njërit prej të dyshuarve, A. U., i lindur në Gjermani dhe me banim në komunën e Deçanit.
Gjatë bastisjes është gjetur vetura që dyshohet se është përdorur në grabitje, një armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash, transmeton Zeri.info.
Kontroll është kryer edhe te personi tjetër i dyshuar, L. I., nga komuna e Deçanit, ku janë gjetur prova që ndërlidhen me rastin e grabitjes së armatosur.
Grabitja e parë kishte ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin grabitur një argjendari, duke marrë ar në vlerë rreth 30 mijë euro dhe 2 mijë euro para të gatshme.
Ndërsa grabitja e dytë ishte kryer më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima”. Edhe në këtë rast, dy persona të maskuar kishin hyrë në argjendari të armatosur, njëri me një armë të gjatë, që dyshohet të ishte e tipit "AK-47", ndërsa tjetri me një çekan.
Sipas Policisë, të dyshuarit kishin kërcënuar personat e pranishëm, ndërsa njëri prej tyre kishte thyer vitrinën me çekan dhe kishte marrë një sasi stolish ari, kryesisht zinxhirë.
Gjatë grabitjes, njëri nga viktimat kishte tentuar t'ia merrte armën njërit prej të dyshuarve, i cili më pas kishte shtënë me armë zjarri dhe e kishte plagosur atë në këmbën e djathtë.
Pas grabitjes, të dyshuarit ishin larguar fillimisht në këmbë drejt Sheshit të Çarshisë së Vjetër, për të vazhduar më pas me një veturë të tipit “Golf 7”, ngjyrë të bardhë.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka sekuestruar 7 mijë e 330 euro, 100 dollarë, një veturë “Golf 7”, një sasi ari, dy telefona mobilë dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Policia ka bërë të ditur se, duke u bazuar në provat dhe dëshmitë e siguruara, dy personat dyshohen për përfshirje në të dy rastet e grabitjes së argjendarive në Gjakovë.
Operacioni policor është ende në zhvillim, ndërsa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente. /Zëri