Erërat e forta shkaktojnë dëme në Deçan
Pas erërave të forta që përfshinë Deçanin gjatë natës së kaluar, ekipet emergjente të Komunës kanë dalë në terren gjatë gjithë natës, duke intervenuar në rastet e nevojshme.
Komuna e Deçanit njoftoi se edhe sot ekipet e NPL “Higjiena” dhe Njësisë së Zjarrfikësve po vazhdojnë punën për sanimin e dëmeve dhe normalizimin e gjendjes.
“Komuna e Deçanit po mbështet edhe ekipet e KEDS-it në intervenimet për sanimin e shtyllave elektrike të dëmtuara në Voksh, Drenoc, Gllogjan, Shaptej, Strellc, Gramaçel dhe vendbanime të tjera ku paraqitet nevoja.
Të gjitha ekipet janë në koordinim të vazhdueshëm për të reaguar sa më shpejt dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Falënderojmë të gjitha ekipet për angazhimin dhe punën e palodhshme, ndërsa qytetarëve u bëjmë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të zonave ku mund të ketë rrezik nga pemët apo shtyllat e dëmtuara.
Komuna e Deçanit mbetet në terren dhe në shërbim të qytetarëve!”, thuhet tutje në njoftim. /Zëri