Hargreavesi pas takimit me Maqedoncin: Kosova ka mundësi të avancojë në fushën e sigurisë

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar sot me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilin ka diskutuar për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Pas takimit, Hargreavesi ka mirëpritur formimin e plotë të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar se ky zhvillim krijon mundësi për të ecur përpara në përballjen me sfidat e ardhshme të sigurisë.

Përmes një postimi, ambasadori britanik ka theksuar rëndësinë e përshtatjes së politikave të sigurisë me sfidat që e presin Kosovën në vitet në vijim.

“Konfirmimi i qeverisë është një mundësi e shkëlqyer për Kosovën që të ecë përpara, duke u siguruar që qasjet e saj ndaj sigurisë janë të përshtatshme për sfidat e viteve të ardhshme”, ka shkruar Hargreavesi.

Ai ka shprehur gjithashtu vlerësimin për përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit në këtë fushë, duke e cilësuar si të rëndësishëm diskutimin me ministrin Maqedonci.

“Eshte kënaqësi të diskutonim këto çështje me ministrin Maqedonci në takimin tonë të sotëm”, ka theksuar ambasadori.

Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.