Grabitje e armatosur në shtëpinë e portierit të Villarrealit, tmerrohet familja – mungon ndaj Napolit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur portierin e Villarrealit, Péter Gulácsi, i cili është bërë viktimë e një grabitjeje të armatosur në shtëpinë e tij në Spanjë.
Për pasojë, portieri hungarez nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Napolit.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, grabitës të armatosur kanë hyrë në banesën e Gulácsit në zonën e Monasterios, në Puçol, pranë Valencias, në orët e para të mëngjesit të së martës.
Në momentin e ngjarjes, portieri ndodhej në shtëpi së bashku me familjen e tij.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.
Megjithatë, ngjarja ka shkaktuar frikë dhe tronditje të madhe te futbollisti dhe familjarët e tij.
Për shkak të asaj që ka përjetuar, Gulácsi nuk ka arritur të pushojë siç duhet gjatë orëve të fundit dhe nuk është në gjendje të luajë në përballjen e rëndësishme evropiane ndaj Napolit.
Klubi i Villarrealit ka konfirmuar se autoritetet përkatëse janë njoftuar menjëherë pas incidentit dhe se po ndërmerren veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
Mungesa e portierit hungarez përbën një shqetësim për skuadrën spanjolle, e cila përballet me Napolin në kuadër të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.
Në vend të tij, pritet që braziliani Luiz Júnior të mbrojë portën e Villarrealit në këtë takim.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria e futbollistëve dhe familjeve të tyre, pasi shtëpitë e lojtarëve profesionistë janë bërë në raste të ndryshme objektiv i grabitjeve. /Zëri