Çitaku pas tragjedisë në Gjilan: Jemi ende larg barazisë së vërtetë

Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur sot në Gjilan, ku një grua dhe vëllai i saj dyshohet se u vranë nga bashkëshorti i saj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çitaku e ka cilësuar ngjarjen si tronditëse dhe të papranueshme, duke theksuar se raste të tilla dëshmojnë se shoqëria ende ka shumë punë për të bërë drejt arritjes së barazisë së vërtetë dhe fuqizimit të gruas.

Ajo ka rikujtuar se Kosova ka zgjedhur tri gra presidente, duke vënë në pah se arritjet institucionale nuk janë të mjaftueshme për sa kohë që gratë vazhdojnë të përballen me rrezik për jetën, lirinë dhe dinjitetin e tyre.

“Kemi zgjedhur tri gra Presidente. Krenohemi me arritjet tona dhe i themi vetes se kemi bërë shumë për fuqizimin e grave. Por vjen një goditje si kjo dhe e kupton sa larg jemi ende nga barazia e vërtetë, sa shumë punë kemi përpara dhe sa thellë janë rrënjosur ende mendësitë që e cenojnë jetën, lirinë dhe dinjitetin e gruas”, ka shkruar Çitaku.

Më tej, deputetja e PDK-së ka theksuar se fuqizimi i gruas nuk duhet të matet vetëm përmes pozitave të larta apo përfaqësimit në institucionet e kryeqytetit, por mbi të gjitha përmes sigurisë që gratë duhet ta kenë në çdo cep të vendit.