Bayerni mundohet ta blindojë Olisen, francezi kërkon klauzolë largimi

Bayern Munichu i ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës me Michael Olisen, por negociatat nuk pritet të jenë të lehta.

Klubi bavarez dëshiron ta mbajë francezin për një kohë të gjatë dhe synon t’ia zgjasë kontratën deri në vitin 2032, duke i ofruar gjithashtu një rritje të ndjeshme të pagës.

Aktualisht, marrëveshja e Olises me Bayernin skadon në vitin 2029.

Megjithatë, sipas “Sport Bild”, pala e lojtarit ka vendosur një kusht të rëndësishëm: përfshirjen e një klauzole lirimi në kontratën e re, që raportohet të jetë mbi 200 milionë euro.

Kjo do t’i jepte Olises mundësinë për t’u larguar në të ardhmen nëse do të shfaqej një mundësi e re.

Bayerni dëshiron ta shmangë humbjen e njërit prej lojtarëve kryesorë të projektit të klubit.

Olise është lidhur më herët me një transferim te Real Madridi, ndërsa interesim për të ka pasur edhe nga Liverpooli.

Francezi iu bashkua Bayernit në verën e vitit 2024 nga Crystal Palace dhe është nën kontratë deri më 30 qershor 2029. /Zëri