Yamali e zbulon planin që e përdori Spanja për ta mposhtur Francën

Lamine Yamal e ka zbuluar planin taktik që Spanja e përdori për ta mposhtur Francën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.

Në një intervistë për mediumin francez “L’Équipe”, talenti i Barcelonës është rikthyer te fitorja ndaj “Les Bleus”, duke shpjeguar se si “La Roja” arriti ta impononte lojën e saj nga minuta e parë deri në fund.

“Ishte një ndeshje speciale. Përballë e kishim një kombëtare të madhe, por arritëm ta kthenim ndeshjen në favorin tonë. Luajtëm pikërisht ashtu siç donim, duke dominuar dhe duke e imponuar stilin tonë”, deklaroi Yamali.

Sulmuesi spanjoll më pas e shpjegoi planin e përgatitur për përballjen me Francën.

“Kundër Francës i ke dy mundësi: ose e lë ndeshjen të hapur, me kundërsulme dhe kalime të shpejta nga njëra anë në tjetrën, dhe në atë rast rrezikon që sulmuesit e tyre të të ndëshkojnë, ose e mban topin dhe e kontrollon lojën”.

“Pas rezultatit 1-0 filluam ta menaxhonim më mirë posedimin dhe, me kaq shumë lojtarë cilësorë, ishte e natyrshme që të merrnim kontrollin e ndeshjes”, shtoi ylli i Barcelonës.

Yamali foli edhe për penalltinë që e fitoi vetë dhe që u shndërrua në gol nga Mikel Oyarzabal, një episod që nga shumëkush u konsiderua vendimtar për rrjedhën e gjysmëfinales.

“Ishte thjesht një aksion loje. Në atë moment arrita ta fitoja penalltinë, por në rezultatin 1-0 mund të ndodhte ende gjithçka. Diferencën e bëri paraqitja jonë: e zhvilluam një ndeshje të madhe nga minuta e parë deri në të fundit”, përfundoi Yamali.