Beogradi e lë në paraburgim për 30 ditë shtetasin e Kosovës, Dukagjin Maxhuni

Autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë nisur procedurë penale ndaj shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte të vitit 1999.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, e cila ka njoftuar se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi ka ndërmarrë menjëherë veprime diplomatike lidhur me rastin, transmeton Zeri.info.

Sipas MPJD-së, është njoftuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, ndërsa u është dërguar edhe notë verbale misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi.

Qëllimi, sipas ministrisë, është sigurimi i angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Kosovës.

Ndërkohë, ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e Maxhunit.

Përmes Zyrës Ndërlidhëse pritet të procedohet edhe kërkesa zyrtare për lejimin e vizitës së tij. Vizita, sipas MPJD-së, pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme. Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër rastin dhe se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të Kosovës./Zëri