Ekstradohet nga Kroacia në Kosovë një person i kërkuar për “dhunim”
Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar për përfshirje në veprën penale “Dhunimi”, është ekstraduar të shtunën nga Kroacia në Kosovë.
Policia e Kosovës njoftoi se ekstradimi, i realizuar më 15 gusht 2026, është bërë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia tha se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale.
Ky bashkëpunim, sipas Policisë, synon edhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës./Zëri