Vrasja e 21-vjeçarit në Korçë, zbardhet dëshmia e të dyshuarit: E vrava se më ngacmoi të dashurën
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e 21-vjeçarit në Korçë, Johan Zuko.
I dyshuari Kristjan Sterjo, i cili u kap pas rreth 6 orësh arrati, ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor lidhur me motivin e ngjarjes së rëndë.
Sipas dëshmisë së tij, konflikti mes dy të rinjve lidhej me disa episode të mëparshme, ndërsa një nga shkaqet që dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës ka qenë ngacmimi i të dashurës së autorit të dyshuar.
Por, krahas këtij konflikti, hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilët dyshohet se kishin pasur debate për shkak të pretendimeve se kush ishte “më i forti” i lagjes.
Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi, autori i dyshuar dhe viktima ishin konfliktuar verbalisht disa ditë përpara ngjarjes. Dyshohet se të dy palët kishin pasur përplasje dhe ngacmime ndaj njëri-tjetrit, duke bërë që marrëdhënia mes tyre të përshkallëzohej.
Situata më pas do të merrte një tjetër përmasë. Sipas dëshmisë së autorit, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit, ndërsa e ka qëlluar me një plumb pas shpine, i cili rezultoi fatal për jetën e Johan Zukos.
Konflikti, i cili dyshohet se kishte nisur për motive të dobëta, duke filluar nga pretendimet se kush konsiderohej “i forti” i lagjes, më pas është shoqëruar me ngacmime, sharje dhe përplasje të vazhdueshme mes dy të rinjve. Përplasja përfundoi tragjikisht me vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko, ndërsa Kristjan Sterjo u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua rreth 6 orë më vonë nga forcat e Policisë, në afërsi të banesës së tij. Sterjo fshihej në një zonë në afërsi të varrezave të qytetit, por është larguar prej aty për t’u afruar drejt banesës. Ka qenë ky moment kur policia e ka pikasur dhe ka ndërhyrë menjëherë për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, ndërsa dëshmia e autorit të dyshuar dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave dhe motivit të saktë që çoi në krimin e rëndë. /euronews