Kurti takon sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, flasin për reformat dhe stabilitetin në rajon
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorin Feridun Sinirlioglu, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe OSBE-së, si dhe zhvillimet në vend e rajon.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Sinirlioglu e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Kurti e falënderoi sekretarin e përgjithshëm për vizitën dhe vlerësoi rolin e misionit të OSBE-së në Kosovë në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe zhvillimin institucional.
"Ne duam stabilitet, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin Perëndimor. Ne jemi të bindur që stabiliteti i vërtetë nuk mund të ndërtohet nëpërmjet konflikteve të ngrira ose ambiguitetit politik. Ai arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke zbatuar ligjin ndaj të gjithëve në mënyrë të barabartë", citohet të ketë thënë Kurti.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të OSBE-së, si demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, qeverisja e mirë, llogaridhënia dhe bashkëpunimi paqësor.
Në takim Kurti foli edhe për zhvillimet ekonomike në vend, duke theksuar se Bruto Produkti Vendor ka arritur në 12 miliardë euro, janë rritur të hyrat publike, investimet e huaja direkte kanë tejkaluar për herë të parë vlerën prej 1 miliard eurosh, ndërsa Kosova vazhdon të ketë një nga borxhet publike më të ulëta në Evropë.
Po ashtu, ai përmendi përparimin në sundimin e ligjit, sigurinë publike dhe vlerësimet ndërkombëtare që, sipas tij, e rendisin Kosovën ndër vendet më të sigurta në Evropë, si dhe largimin e saj nga lista e vendeve të ndikuara nga brishtësia dhe konfliktet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ky ishte takimi i dytë mes Kurtit dhe Sinirlioglu brenda këtij viti, pas atij të zhvilluar në muajin maj në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë. /Zëri