QKUK: 11 pacientë nga Hani i Elezit rezultuan të helmuar me bakterin Salmonela Enteritidis

Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës ka njoftuar opinionin publik se aktualisht po trajton një situatë të helmimeve të dyshuara nga ushqimi, ku deri tani janë hospitalizuar 31 pacientë.

Gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, sipas njoftimit, ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë kanë kërkuar rreth 30 persona. Pas analizave të hollësishme laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonela Enteritidis.

Ekipi shëndetësor konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit.


“Në kuadër të këtyre rasteve, gjatë kësaj periudhe treditore janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme. Sipas deklaratave të vetë pacientëve, numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion dhe që dyshohet se mund të jenë helmuar është më i madh. Stafi mjekësor është duke kryer ekzaminimet e nevojshme dhe po monitoron vazhdimisht gjendjen e tyre, ndërsa po punohet intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit”, thuhet në njoftim.

Rekomandime të rëndësishme për qytetarët

Shmangni ushqimet e shpejta:

Rekomandohet të shmanget konsumimi i produkteve të tipit “fast food”, posaçërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, pasi nxehtësia favorizon shumimin e shpejtë të baktereve.

Kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë: Nëse pas konsumimit të ushqimit shfaqni simptoma si të vjella, diarre, temperaturë të lartë apo dhimbje të forta barku, drejtohuni menjëherë në qendrën më të afërt mjekësore.

Klinika Infektive do të vazhdojë të mbajë të informuar publikun në mënyrë transparente për çdo zhvillim të ri, sapo të konfirmohen të dhënat nga autoritetet përgjegjëse epidemiologjike.