IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve në Prizren, dyshohen për marrje ryshfeti

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm nga detyra të tre zyrtarëve policorë të stacionit policor “Alfa” në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit kanë nisur ditë më parë veprimet fillestare hetimore lidhur me reagimet dhe veprimet policore ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë.

Duke u bazuar në gjetjet fillestare të hetimit, zyrtarët policorë kishin ndaluar automjete të paregjistruara dhe motoçikleta që qarkullonin në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke iniciuar procedurat përkatëse policore.

Megjithatë, sipas IPK-së, ekzistojnë dyshime se ata nuk kanë vepruar në përputhje me obligimet e tyre ligjore dhe zyrtare.

“Dyshohet se zyrtarët policorë nuk kanë vazhduar me procedurat e parapara dhe kanë lejuar personat/kundërvajtësit të largohen pa i ndërmarrë masat përkatëse ligjore”, thuhet në njoftim.

IPK-ja ka bërë të ditur se rekomandimi për suspendim lidhet me dyshimet se më 11 qershor 2026, në Prizren, veprimet e tyre mund të përbëjnë elemente të veprës penale “Marrje e ryshfetit”, të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet për këtë rast po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë.

Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendimin e përkohshëm është bërë për të shmangur çdo ndikim të mundshëm në procesin hetimor dhe për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve. /Zëri