Bastisje në Zubin Potok pas kanosjes ndaj Sveçlës, konfiskohen katër armë

Policia e Kosovës ka realizuar bastisje në dy lokacione në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve për një rast kanosjeje ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas njoftimit të Policisë, veprimet janë ndërmarrë pas pranimit të informacioneve për kanosjen e ndodhur ditë më parë ndaj ministrit. I dyshuari për rastin është një mashkull kosovar i nacionalitetit serb.

Gjatë bastisjeve, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar katër armë të gjata të llojeve të ndryshme. Në njërin lokacion janë gjetur tri armë, ndërsa në lokacionin tjetër një armë.

Policia bëri të ditur se dy nga armët e konfiskuara kanë qenë me leje, ndërsa dy të tjera pa leje.

Sipas autoriteteve, personi i dyshuar për kanosjen dyshohet se aktualisht ndodhet jashtë vendit.

“Armët janë sekuestruar nga njësitet relevante policore, përderisa rasti vazhdon të hetohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Hetimet për rastin janë në vazhdim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me rrethanat e kanosjes ose identitetin e të dyshuarit. /Zëri