Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje, Ambasada Gjermane: Thelbësore të mos ndërhyhet në vullnetin e qytetarëve

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar ndaj ndërhyrjeve të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës. Reagimi pasoi thirrjet e Beogradit zyrtar ndaj serbëve të Kosovës që në zgjedhjet e qershorit të votojnë Listën Serbe, parti kjo që ka mbështetjen e Beogradit Ambasada tha për RTV21 se është thelbësore të mos ndërhyhet në vullnetin e qytetarëve.

“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 7 qershor janë një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre duke përdorur të drejtën e tyre për të votuar në një mënyrë të informuar dhe të vetëdijshme. Është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit (qytetar)”, tha për RTV21 Payam Ghalehdar, zëdhënës i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë. Përveç thirrjeve për votim të Listës Serbe, së fundmi një numër zyrtarësh serb u shkarkuan nga puna në institucionet ku udhëheq Lista Serbe.