AUV-i zbulon salmonelë në mishin e pulës të kompanisë “Elkos”, produkti klasifikohet i parregullt
Një ngarkesë e mishit të pulës të kompanisë “Elkos SH.P.K” ka rezultuar me prani të salmonelës, sipas një raporti zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Dokumenti laboratorik tregon se produkti i testuar ka dalë jashtë standardeve të sigurisë ushqimore, duke ngritur shqetësime për rrezikun potencial ndaj konsumatorëve dhe mënyrën e kontrollit të produkteve që dalin në treg.
Raporti i testimit mban numrin e serisë 0233/2026 dhe është lëshuar nga laboratori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i akredituar sipas standardeve përkatëse. Sipas dokumentit, mostra është marrë më 20 janar 2026 në kuadër të Planit Nacional të monitorimit, ndërsa pranimi i mostrës në laborator është bërë po në të njëjtën datë. Produkti që është testuar është mish pule i ngrirë në paketim 1×2900 kilogramë.
Analiza laboratorike është përfunduar më 26 janar 2026 dhe rezultatet tregojnë se mostra ka rezultuar e parregullt. Në raport thuhet se gjatë testimit janë analizuar parametrat për Salmonella typhimurium dhe Salmonella enteritidis, sipas metodave standarde PSO 7.2-M-10, EN ISO 6579-1:2017 dhe EN ISO 6579-3:2014.
Në pjesën e rezultateve specifikohet se salmonela nuk është evidentuar në 25 gramë të mostrës në formën standarde të raportimit laboratorik, mirëpo në seksionin e vërejtjeve laboratori ka theksuar se “janë fituar rezultate që tregojnë afinitet të jenë Salmonella Minnesota me formulë antigjenike 21:b:e,n,x”. Pikërisht ky konstatim ka bërë që mostra të klasifikohet si e parregullt dhe produkti të konsiderohet pozitiv në analizat mikrobiologjike.
Çka është Salmonela?
Një salmonelë është një grup bakteresh që mund të shkaktojnë helmim të ushqimit dhe infeksion të zorrëve. Zakonisht ndodh kur dikush ha ushqim që është i ndotur me baktere të kafshëve ose të boshllëqeve të njeriut. Është shumë e lidhur me vezët e pulave dhe mishit, por edhe ushqime të tjera si perime, fruta etj mund të kontaminohen me Salmonella.
Konsumimi i produkteve të kontaminuara me salmonelë mund të shkaktojë infeksione serioze gastrointestinale. Simptomat më të zakonshme përfshijnë temperaturë, diarre, të vjella, dhimbje barku dhe dehidrim, ndërsa në raste më të rënda infeksioni mund të përhapet në gjak dhe të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore. Rreziku është më i madh te fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sistem imunitar të dobësuar.
Periskopi ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë “Elkos SH.P.K” për të marrë sqarime lidhur me rezultatin e analizës, sasinë e produktit që mund të jetë hedhur në treg dhe masat që janë ndërmarrë pas raportit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, kompania nuk ka kthyer përgjigje.