FKEE-GIZ drejt forcimit të mekanizmave të financimit për energji
Sot, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë Daneze, nënshkruan Marrëveshjen e Grantit për projektin “Fuqizimi i mekanizmave të financimit të FKEE-së për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme”, me vlerë totale prej 1.5 milionë euro.
Marrëveshja synon të mbështesë zhvillimin dhe pilotimin e mekanizmave për financimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë për vetë-konsum në ndërtesat shumëbanesore, integrimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme në ndërtesat publike, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të FKEE-së për implementimin e skemave të reja të financimit.
Në kuadër të projektit do të implementohen investime pilot në ndërtesa të përzgjedhura shumëbanesore dhe publike, duke kontribuar në përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave dhe përdorimin më të madh të burimeve të energjisë së ripërtëritshme për vetë-konsum. Projekti gjithashtu do të mbështesë zhvillimin e modeleve të reja të bashkë-financimit që kombinojnë grantet, kontributin e përfituesve dhe mekanizmat ekzistues të financimit të FKEE-së, duke krijuar bazë për zgjerimin e mëtejmë të investimeve në sektorin rezidencial dhe publik.
Kjo marrëveshje forcon më tej partneritetin afatgjatë ndërmjet FKEE-së dhe GIZ në promovimin e iniciativave për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndër vite, të dy institucionet kanë kontribuar në avancimin e investimeve të qëndrueshme në energji dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në vend.
Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në sektorin e energjisë, përfshirë varësinë nga prodhimi i energjisë nga thëngjilli dhe performancën e ulët energjetike të stokut ekzistues të ndërtesave. Përmes aktiviteteve të planifikuara, projekti pritet të kontribuojë në uljen e konsumit të energjisë, reduktimin e emetimeve të COë, përmirësimin e komoditetit dhe kushteve të jetesës për qytetarët, si dhe në mbështetjen e objektivave të Kosovës për tranzicion energjetik dhe dekarbonizim.
Përfaqësuesit e GIZ dhe FKEE-së theksuan rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mekanizmave të qëndrueshëm të financimit për investime në efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë.
Ky projekt financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze përmes GIZ dhe implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).