Kurti në Forumin e Agrobiznesit Itali-Kosovë: Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të vendit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Agrobiznesit Itali-Kosovë në Prishtinë, platformë kjo që bën bashkë institucione, kompani dhe sipërmarrës nga dy vendet, me qëllim krijimin e partneriteteve konkrete dhe afatgjata.
Në fjalën hyrëse, kryeministri në detyrë Kurti, tha se Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në fushën e ekonomisë, diplomacisë, sigurisë, si dhe në mbështetjen për zhvillimin e vendit tonë.
“Marrëdhëniet tona janë të forta dhe tani është koha që ato të thellohen edhe më shumë në dimensionin ekonomik dhe prodhues”, tha ai, duke potencuar se ky forum ka rëndësi të veçantë, pasi zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm nga kapitali, por ai ndërtohet përmes partneriteteve, shkëmbimit të përvojave dhe lidhjeve direkte ndërmjet bizneseve.
Kurti theksoi se në vitet e fundit Republika e Kosovës ka rritur eksportet, ka përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe ka tërhequr investime të reja.
I bindur se takimet biznes me biznes, diskutimet profesionale dhe aktivitetet promovuese do të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi midis Kosovës dhe Italisë, jo vetëm në sektorin agro-industrial, por edhe më gjerë, ai tha se vendi ynë është i hapur për investime, për ide të reja dhe për partneritete serioze ekonomike. /Zëri