Kusari-Lila: Kosova dhe Italia po forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe agro-industrial

Për herë të parë në Prishtinë është organizuar Forumi i Agrobizneseve Kosovë – Itali, një ngjarje që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të dy vendeve.

Në forum morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Nita Shala, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, si dhe përfaqësues institucionalë, biznesorë dhe ekspertë të sektorit agro-ushqimor nga Kosova dhe Italia.

Gjatë forumit u theksua rëndësia e marrëdhënieve të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe potenciali për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në sektorin e agro-industrisë dhe përpunimit ushqimor.

Ministrja nw detyrw, Mimoza Kusari-Lila vlerësoi se ky forum përfaqëson një platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe një dëshmi të miqësisë tradicionale ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se prania e bizneseve italiane nga rajone të ndryshme të Italisë është sinjal i qartë i interesit për investime dhe partneritete afatgjata me Kosovën.

Në kuadër të diskutimeve u potencua se Italia vazhdon të mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Kosovës dhe një ndër investitorët kryesorë evropianë në rajon. Vetëm gjatë vitit 2025, eksportet e Kosovës drejt Italisë kanë arritur vlerën prej 29 milionë eurosh, ndërsa importet nga Italia kanë tejkaluar 369 milionë euro.

Përfaqësuesit institucionalë dhe bizneset pjesëmarrëse diskutuan mundësitë për krijimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të prodhimit, zhvillimin e industrisë agro-përpunuese, rritjen e investimeve dhe avancimin e inovacionit në të dy vendet.

Po ashtu, u theksua se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë nuk kufizohet vetëm në tregti, por shtrihet edhe në kulturë, gastronomi dhe komunikim njerëzor, duke e bërë partneritetin ndërmjet dy vendeve më të afërt dhe më të qëndrueshëm.

Kusari-Lila falënderoi të gjithë partnerët institucionalë, bizneset dhe pjesëmarrësit nga Kosova dhe Italia për kontributin e tyre në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërtimin e urave të reja ndërmjet dy vendeve.