Kurti: S’kemi situatë të re, por zgjedhje për ta përsëritur e tejkaluar 28 dhjetorin
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka thënë se partitë politike kanë afat deri më 12 maj për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Ai ka deklaruar se para dorëzimit të listës së kandidatëve do të mbajnë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
“Sa u përket zgjedhjeve të ardhshme natyrisht ju e dini që data është caktuar 7 qershori dhe kjo ka imponuar që deri më datën 12 maj ne t’i dorëzojmë listat e kandidatëve tanë për deputetë, pra i kemi edhe pesë ditë, do të kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, do të kemi ndoshta edhe nja dy mbledhje të Kryesisë së LVV-së deri atëherë unë nuk mund të flas për emra, për ajo që e di është që ne jemi duke e zbatuar programin dhe zotimet tona me të cilat i kemi fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe 28 dhjetori nuk ishte para pesë vjetëve, por i bie para katër muajve, rrjedhimisht nuk mund të themi që kemi një situatë krejtësisht të re. Kemi zgjedhje të përsëritura që nuk ka qenë e thënë të mbahen, mirëpo meqë bojkotoi opozita, meqë nuk dëshiroi të jetë as minimalisht konstruktive ja po shkojmë edhe njëherë drejt 7 qershorit për ta përsëritur e tejkaluar 28 dhjetorin”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka deklaruar se qytetarët janë ata që vendosin për pushtetin politik në vend dhe jo liderët partiakë apo pretendentët për poste të caktuara, derisa ka rikujtuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mori 51.1 për qind të votave.
Kurti tha se të gjithë ata që kanë ambicie politike duhet të angazhohen dhe të punojnë për qytetarët, por sipas tij, vendimin përfundimtar e merr populli. Ai theksoi se në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje iu afrua shifrës prej 500 mijë votash dhe siguroi 57 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Të gjithë të cilët kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e mundën dhe iu dëshiroj sukses. Por duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarëdo posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh. Pra populli ne zgjedhjet e 21 dhjetorit, 51.1%. Jo 50%, 51, jo 51, po 51.1% ia dha Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast ne iu afruam shumë pranë asaj shifre 500.000 vota apo 500.000 zemra siç themi ne, dhe vetëm shikoni rezultatin konkret. Lëvizja Vetëvendosje 57 deputetë, 57 deputetë. Ndërkaq LDK, PDK, AAK së bashku 43 deputetë. Pra ato tria bashkë 43 deputetë”, tha ai.
Ai deklaroi se krahas 57 deputetëve të Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj politikë, koalicioni ka edhe mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë, duke arritur në total 66 deputetë.
“Ne Lëvizja Vetëvendosje me partinë Guxo edhe alternativën e PSHDK-në, 57 deputetë. Pra nuk jemi duke u krahasuar dy parti, po e gjithë opozita është 43 deputetë e Vetëvendosja është 57, plus ne i kemi edhe 9 deputetë të komuniteteve joshumicë, përkatësisht pakicave, gjithsej bëjmë 66. Rrjedhimisht shikoni, njerëzit kanë dëshira, edhe kjo është normale, por nuk duhet me i ngatërru dëshirat me faktet”, tha Kurti.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se përpjekjet për ta penguar Lëvizjen Vetëvendosje kanë sjellë rritje të mbështetjes për këtë subjekt politik.
“Po besoj që qytetarët e Republikës e kanë kuptuar që çdo herë kur përpiqesh t’ia vësh digën një rrjedhe socio-historike e politike qysh është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithmonë më shumë prurje. Pra sa herë na kanë vënë diga, është rritë prurja. E tash bash saktësisht sa do të jetë, do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit”, tha ai. /EO