Hapet Gjykata Administrative, Haxhiu: Moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë
Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë është hapur Gjykata Administrative e Kosovës.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila fillimin e funksionimit të kësaj gjykate e cilësoi si një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.
Ajo tha se rëndësia e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin formal, por në ndikimin që do të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Fillimi i punës së Gjykatës Administrative është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin”, deklaroi ajo.
“Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokrati,e, vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë. Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme”, shtoi Haxhiu. /eo